0123

Historia e shkollës

  • PDF

      Historiku i shkurtër i shkollës së mesme „Sezai  Surroi „ në Bujanoc

 

       Shkolla e mesme „Sezai Surroi“ këtë vit përmbush 45 vjetorin  e ekzistencës së saj.Kjo shkollë ka bërë hapat e parë të veprimtarisë që nga viti  shkollor 1968/1969, atëherë kur  është paraqitur nevoja e domosdoshme për hapjen e një shkolle të mesme në komunën e Bujanocit. Natyrisht se për hapjen  dhe funksionimin e saj, ka patur shumë peripeti dhe sfida të natyrave të ndryshme. Kjo shkollë fillimisht  është hapur në Tërnoc, me paralele të ndara nga shkolla e mesme rrespektivisht nga gjimnazi  “Skenderbeu” i  Preshevës.

   Falë angazhimit, entuziazmit dhe dëshirës së flaktë të popullatës shqiptare të komunës së Bujanocit, përfshirë këtu edhe nxënësit , arsimtarët dhe inteligjencën shqiptare të kësaj treve, ëndrra e tyre u bë realitet dhe u hapën, në fillim dy paralele të gjimnazit me rreth 70 nxënës prej të cilëve vetëm 4 kanë qenë të gjinisë femërore .  Vlenë të theksohet se interesimi inxënësve për regjistrim në këtë  shkollë ka qenë i jashtzakonshëm nga se deri atëherë nxënësit shqiptarë është dashur të shkollohen në gjuhën sërbe .

shkollafilloreMK

 

  Fillet  e para të proçesit edukativo-arsimorkanë qenë shumë të vështira duke marrë parasysh  se për një gjë të tillë është dashtë të sigurohet kuadri arsimor-pedagogjik i domosdoshëm .Ky kuadër është siguruar nga gjimnazi i Preshevës por është realizuar me vështirësi sepse të njëjtit profesorë që punonin në mësim të rregullt në Preshevë, të njëjtit do të mbanin mësimin në Tërnoc ,por kësaj radhe në formë honorari. Ky kuadër është plotësuar me profesorë nga qyteti i Gjilanit , natyrisht se për pagesën e  tyre dhe bartjen nga Presheva dhe Gjilani është përgjegjur Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit të komunës së Bujanocit, herë pas here ka ndodhë që për pagesën e tyre  të  participojë edhe popullata por edhe individë   vullnetarë.

Gjenerata e dyte     Profesorët e parë të kësaj shkolle që udhëhoqën procesin edukativo-arsimor  ishin: Zijadin Munishi ,Rexhep Munishi,  Hysen Kadriu ,Abdylaziz Veseli,Shefik Haliti, Enver Gjinolli,Rexhep Jakupi , Hafiz Isufi, Zeqirja Fazliu, Remzi Lloga ,Sadri Shkodra, Xhevat Nasufi ,Sahit Ramadani,Nexhat Daci,Hamdi Daci, Jahi Murati,  Mejdi Rufati,Ilmi Abdyli  Mustafë  Selimi,Fehmi Kelmendi,Raif Bajrami, Avdi Avdiu etj.Kurse si koordinator i të gjitha punëve për realizimin e proçesit edukativo-arsimor  ishte Shaban Xheladini i cili me shumë  mund dhe angazhim, ndihmoi që mësimi të zhvillohet në fillim në lokalet e shkollës fillore „Muharrem Kadriu“ në Tërnoc, kurse si sekretar shkolle ishte Sabedin Halili. Është me rëndësi të përmendet në këtë rast se drejtoria e shkollës fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc është treguar shumë solidare ,zemërhapur kur me kënaqësi të posaçme ka pranuar nën kulmin e shkollës së vetë , të hapen edhe paralelet e shkollës së mesme të gjimnazit të sapo hapura në Tërnoc.

   Në saje të angazhimit të profesorëve, arsimdashësve dhe inteligjencës përparimtare ,kjo shkollë do të marrë fizionominë e një shkolle të plotë sepse shkolla fitoi edhe në pikëpamje kadrovike por edhe numri i nxënësve është rritur dukshëm dhe lindi nevoja që shkolla të pavarësohet nga gjimnazi i Preshevës dhe zgjodhi drejtorin e saj të parë profesor Mejdi Rufatin i cili e  udhëhoqi këtë shkollë deri në korrik të vitit 1975. Shkolla u transferua nga Tërnoci në Bujanoc  në vitin 1974 , në oborrin e shkollës ekonomike dhe ky transferim është bërë me ndihmën  edhe të sekretarit të BVI-së  së atëhershme  Njiazi Bektashit. Meqë shkolla ishte vendosur në qytetin e Bujanocit, interesimi i nxënësve ishte edhe më i madh, kështuqë mund të themi se ky numër i nxënsve është shumëfishuar në krahasim me numrin e nxënësve të cilët u regjistruan  për herë të parë.

       Deri në gusht të vitit 1978 shkolla ka figuruar me paralelet e gjimnazit të drejtimit shoqëroro-gjuhësor, ndërsa që nga viti 1978/1979, gjimnazi shndërrohet në Qendrën Arsimore të Mësimit të Mesëm të Orientuar.Dy vitet  e para të kësaj forme të arsimit, ishin Baza Unike,ndërsa orientimi profesional fillonte që nga viti i tretë me profesionet: gjimnazi shkencor shkolla ekonomike ,drejtimi  juridik dhe drejtimi i makinerisë.

         Gjatë këtyre viteve shkollore ,numri i nxënësve nëpër paralele ka qenë shumë më i madh se deri në atë kohë.Pas mësimit të mesëm të orientuar, shkolla u shdërrua në drejtime profesionale .Është me rëndësi të ceket se më datë 16 korrik të vitit 1990, u futën masat e dhunshme në shkollën tonë, megjithë reagimin dhe kundërshtimin e madh të organeve  të shkollës ,arësimtarëve por edhe të delegatëve shqiptarë të Kuvendit Komunal të Bujanocit, kështuqë gjatë kësaj periudhe të masave të dhunshme, në krye të të cilit ndodhej Milloš Josifoviqi-Joshki, iu ndrrua edhe emri i shkollës nga „Sezai Surroi“ në „Mihajllo Pupin“.

sezaisurroipotret

     Gjëja më tronditëse për shkollën,për  nxënësit dhe arsimtarët ,ka qenë atëherë kur Kuvendi Komunal i atëhershëm, mori vendim që shkolla e jonë të transferohet dhunshëm nga objekti i jonë,  në objektin e shkollës fillore „25 Maji“ të Bujanocit. Në këtë shkollë me lokal të pamjaftueshëm që të zhvillohej mësimi në dy shkolla, ka zhvilluar veprimtarinë  arsimore shkolla e jonë duke qenë të privuar nga e drejta elementare e nxënësve për shkollim. Duhet theksuar edhe këtë se personeli arsimor i shkollës fillore „25 Maji,“ është treguar shumë solidar duke na ofruar kushtet si për vete, ashtu  edhe për ne. Gjatë kësaj kohe, shkolla funksiononte si shkollë Makineriko-Elektroteknike. Për shkak të kushteve dhe situatës që ekzistonte në atë kohë, numri i nxënësve kishte rënë në mënyrë drastike. Ky  numër i nxënësve sillej  përafërsisht rreth 340 nxënës.

         Në vitin shkollor 2002/2003, në marrëveshjen midis shkollës  tonë dhe gjimnazit të Preshevës, tek ne u hapën në fillim, dy paralelet e gjimazit  të përgjithshëm dhe si të tilla këto paralele   funksionuan deri në vitin 2006. Të themi edhe këtë se prej vitit 1992  deri në vitin 2002, në objektin tonë shkollor ishte vendosur ushtria e atëhershme jugosllave e cila qëndroi  plot një decenie, atëherë  u kthyem  në  objektin e mëparshëm,në oborrin e të cilit ndodhemi edhe sot. Në vitin 2006 paralelet e gjimnazit u pavarësuan nga shkolla amë e Preshevës,njëherit u hapën edhe drejtimet tjera si p.sh. Ekonomia, Mjekësia  dhe  Tregëtia.

Baraka1

    Po në të njejtin vit, me shumë angazhim ,të shkollës dhe drejtorisë  së saj , i është kthyer edhe emri i mëparshëm i shkollës  „ Sezai Surroi“ . Është  me rëndësi të ceket se në vitin 2005 është marrë  iniciativa që të ndërtohet objekti  i ri shkollor në të cilin ndodhemi tani. Natyrisht se për realizimin e këtij objekti kapital, ka patur vështirësi  dhe peripeti edhe materiale  dhe çfarë  jo tjetër, por me angazhimin edhe të drejtorisë, organeve komunale dhe donatorëve, ëndrra e kahmotshme u bë realitet dhe shkolla u ndërtua me ç,rast jemi bartur  nga objekti i vjetër (barakat ) në vitin 2007.

 

 SAM 0329

   Shkolla  jonë  tani radhitet ndër më të mirat  dhe më bashkëkohoret në rajon me kushtet shumë  të mira për realizimin e proçesit edukativo-arsimor.Në vitin shkollor 2012/2013. shkolla jonë numëron  1400 nxënës të shpërndarë në 50 paralele  të drejtimeve dhe profesioneve të ndryshme ekzistuese.

 

          

 

 


Bujanoc,01.03.2013.   

 

Powered by Web Agency
Share
Last Updated on Tuesday, 26 March 2013 16:52