Festoi gjenerata e 49 e maturantëve

Më se 200 maturantë festuan mbrëmjen e maturës te restoranti “5 Yjet”, në një atmosferë impozante!

Solemnisht shënohet mbrëmja e maturës së maturantëve të Bujanocit më 26 qershor 2021.

Në Bujanoc të shtunën mbrëma, qindra maturantë shënuan përfundimin e shkollës së mesme “Sezai Surroi” me ahengun e organizuar në restorantin “5 yjet” në Bujanoc.

Të veshur si për ndonjë konkurs misesh me veshjet e tyre të përzgjedhura, maturantët e Bujanocit kremtuan mbrëmjen e maturës në shoqërim edhe të profesorëve kujdestarë.

Defilimin e maturantëve nga afër e përcollën qindra qytetarë shumica familjarë të tyre, duke ecur përkrah njëri-tjetrit, t’u mbushte zemra mal me dashurinë, çiltërsinë dhe shpresën e besimin e tyre për të ardhmen, pasi që nga ata pritet jeta e së ardhmes dhe me shpresën se e ardhmja të jetë në duart e tyre.

Të shoqëruar nga familjarët, kujdestarët e klasave dhe qytetarë të interesuar, maturantët të veshur me petkun e tyre më të mirë ku disa vajza shndrinin me fustanet e tyre mbushur me kristale, së pari u grumbulluan në oborrin e restorantit në mënyrë që më vonë të defilojnë për t’u fotografuar me familjarët e tyre dhe pastaj për të zënë vendet e tyre në restorant.

Maturantët e shkollës së mesme “Sezai Surroi’’ në Bujanoc, kanë festuar të shtunën, mbrëmjen e maturës në mënyrë solemne në restorantin “5 yjet“, me ç’ rast nxënësve të dalluar drejtori i shkollës së mesme, Zejni Fejzullahu, iu ka ndarë mirënjohje duke i shpërblyer (me nga një libër: “Analizë e suksesit dhe vijimit 2012 – 2020) për rezultatet e shkëlqyera të arritura gjatë procesit mësimor në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc.

Fejzullahu ka shprehur kënaqësinë e tij për sukseset e maturantëve të këtij viti shkollor, duke shprehur entuziazmin e tij për festimin e natës së maturës dhe përshtypjet e mira që i kanë lënë maturantët gjatë kësaj mbrëmjeje, si diçka e veçantë nga kjo gjeneratë për shkollën tonë.

Maturantët të entuziazmuar nga nata e fundit festive e tyre, u shprehën të gjithë të lumtur që katër vitet i kanë kaluar si një familje dhe se bankat shkollore do të mbesin të paharruara për ta.

Të gjithë maturantët dukeshin të entuziazmuar për këtë natë magjepse, derisa shumica prej tyre deklaruan se do të vazhdonin studimet, kurse disa të tjerë u zotuan në kryerjen e zanateve të tyre dhe ushtrimin e punës për të cilën kanë kryer zanatin.

Për maturantët kjo natë mbetet tejet e veçantë, sepse me rëndësi ishte që së bashku t’i kalojnë çastet më të bukura të jetës së tyre, para se të hapin faqen e re të jetës akademike.

Dhe për fund u vlerësua se vazhdimisht të ketë patur festime maturash, por këtë vit pamë se si kremtohet hijshëm matura e vitit.

Do theksuar se maturantët kaluan një natë nën një atmosferë të bukur festive, nën tingujt e muzikës së grupit “Leo Bend“, i cili i argëtoi ata.

Përgaditi: Metali Krasniqi

Sfilatën e maturantëve gjatë hyrjes në restorant mund ta shihni në videon në facebook të realizuar nga portali LuginaPress: 
SFILATA E MATURANTËVE 2020/21
Shpërndaje në: