Shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, ka organizuar të hënën, një manifestim kulturor për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe shënimit të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Nxënësja moderatore e shkollës sonë, Rina Pajaziti, gjatë përshëndetjes së të pranishmëve në këtë manifestim theksoi: “Me respekt të veçantë Ju përshëndes përzemërsisht dhe e përgëzojë të gjithë kolektivin e kësaj shkolle dhe shqiptarët kudo që janë, duke ju uruar këtë festë të madhe kombëtare dhe një shekull e një dekadë pavarësi të shtetit shqiptar”.
“Me 28 Nëntor kanë festë të gjithë shqiptarët, në të gjitha trojet etnike si; në Tetovë, Tiranë, Çamëri, Prishtinë, Luginë të Preshevës, Plavë, Gusi, Malësi dhe diasporë”, theksoi ajo, duke shtuar se “të gjithë shqiptarët kudo që janë, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën ditë, bashkohen rreth Flamurit Kombëtar”.
Drejtori i shkollës, Zejni Fejzullahu, duke elaboruar për rëndësinë 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit theksoi: “Dita e Flamurit është festa më e rëndësishme e historisë së shqiptarëve – Festë e krenarisë sonë Kombëtare”.
“Dita e Flamurit përveç që është festa e krenarisë sonë, është edhe festë e rimëkëmbjes së dinjitetit dhe forcimit të ndërgjegjes sonë kombëtare”, thesksoi Fejzullahu dhe shtoi se: “28 Nëntori gjithmonë na kujton sakrificën e shumë brezave, që sakrifikuan jetën e tyre për çlirimin kombëtar dhe për Flamurin duke i dhënë shpirt historisë sonë”.
Lidhur me rëndësinë e 28 Nëntorit – Festës sonë Kombëtare, profesori i historisë, Muhamet Jashari, theksoi: “Si çdo popull, edhe ne kemi kremten tonë kombëtare. 28 nëntori është data më e ndritshme e Rilindjes sonë kombëtare në të gjithë historinë tonë. Kjo ditë e bekuar shënon momentin e ndarjes nga robëria e gjatë dhe mbetet simbol i sakrificës, bashkimit, unitetit dhe qëndresës së popullit shqiptar”.
“Dita e Flamurit është festa e krenarisë sonë kombëtare, me traditën më të gjatë të kremtimit”, theksoi Jashari, duke shtuar, se “është festë e rimëkëmbjes së dinjitetit dhe forcimit të ndërgjegjes sonë kombëtare”.
“28 Nëntori, gjithmonë na kujton sakrificën e shumë brezave, që sakrifikuan jetën e tyre për kombin dhe Flamurin duke i dhënë shpirt historisë sonë”, vlerësoi më tej Jashari, duke e përmbyllur fjalimin e tij, theksoi: “Ndaj sot, të gjithë ne, me përkulje i kujtojmë gjeneratat dhe personalitetet kombëtare, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që e mbajtën gjallë indin tonë kombëtar në periudha të caktuara të historisë sonë”.
Ndërkaq, në këtë takim letrar, nxënësit e pranishëm që merren edhe me poezi dhe krijimtari letrare patën rastin t’i lexojnë disa poezi (Krenaria jonë … Himn i Flamurit … 28 Nëntor) kushtuar festës së Flamurit nga shkrimtarët tanë të shquar.
Më pas ndoqëm edhe një fragment nga filmi “Dy krisma ne Paris” të organizuar nga nxënësit tanë maturantë.
Pas ekspozitës në shkollë, nxënësi i shkollës sonë Enes Imeri, sot i dhuroi pikturën e portretit të Komandant Lleshit, haxhi Hetemit, e punuar enkas me rastin e “28 Nëntorit”, i udhëhequr nga profesori i kulturës figurative Avni Zairi. I lumtë nxënësit për veprën dhe gjestin human!