Me një aktivitet kulturor të përgatitur nga mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj vatre arsimore, të hënën, më 9 maj në shkollën tonë është shënuar Dita e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc.
Në këtë përvjetor të shkollës sonë përveç mësimdhënësve, në këtë solemnitet morën pjesë edhe kryetari i komunës, Nagip Arifi, kryetari i Kuvendit Enver Ramadani, veteranë të arsimit, dhe familjarë që përfaqësonin themeluesit e kësaj vatre arsimore.
Me këtë rast të shënimit të kësaj dite më se gjysmëshekullore të vatrës së diturisë së arsimit, drejtori i shkollës së mesme “Sezai Surroi”, Zejni Fejzullahu, para të pranishmëve në këtë manifestim elaboroi për sakrificat dhe të arriturat e një tradite në ecjen e proceseve përpara.
Fejzullahu në fjalimin e tij përshëndetës rikujtoi edhe kontribuuesit e kohërave të vështira gjatë hapjes së kësaj shkolle – vatrës së diturisë duke shprehur njëherësh dhe mirënjohje të thellë për veteranët e arsimit si themelues të kësaj vatre të diturisë.
“Shkolla është pajisur me mjete të ndryshme kabinetike dhe nëpër paralele, ku synimi ynë është të sigurojmë kabinetet e biologjisë, fizikës dhe kimisë”, theksoi më pas Fejzullahu, duke shtuar: “Shkolla jonë është e vetmja në rajon e cila e ka mundësinë që mësimin në çdo paralele ta zhvillojë me mjete moderne”.
Më tej Fejzullahu, theksoi edhe për rezultatet e arrira të kësaj vatre arsimore, ku nxënësit tanë janë radhitur me vendet e para, si në lëndën e Fizikës, po ashtu edhe atë të Biologjisë.
Ndërsa, kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, fillimisht përshëndeti mësimdhënësit pjesëmarrës të këtij manifestimi duke jua uruar 54-vjetorin e shkollës së mesme “Sezai Surroi” dhe duke elaboruar në vazhdimësi për problemet me të cilat janë ballafaquar gjeneratat e mëparshme, si dhe vështirësitë të cilat kanë qenë prezentë atëbotë dhe me të cilat edhe po përballet edhe sot, siç janë mosnjohja e diplomave të studentëve nga Kosova, dhe furnizimi me tekste mësimore nga disa lëndë.
Me anë të një telegrami urimi edhe Hadije Morina – Surroi, motra e personalitetit që mban emrin shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, për kremtimin e 54 vjetorit përshëndeti me një telegram urimi ku shkruhet: Të nderuar të pranishëm, të dashur nxënës, arsimtarë e bashkëpunëtorë. Ndodhem shumë larg prej jush. Nuk mundem me qenë me ju në shkollën e madhe dhe të bukur, ku po festohet Dita e shkollës; data e së cilës paraqet datën me domethënëse ndërkombëtare të fitores së luftës së suksesshme kundra fashizmit, holokaustit dhe padrejtësive tjera ndaj njerëzimit. Pa dyshim shkolla e juaj është tempulli i pamohueshëm në ngritjen kulturore të rinisë dhe masës së gjorë popullore. Raporti për rezultatet e punës në shkollë të arritura në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri, jam e bindur, që me punën me nderë dhe vetëmohuese, si të nxënëseve, po ashtu dhe të arsimtarëve paraqet të mbërrimë serioze. Ato edhe vetë mundeni me e venerue dhe çmue. Por, shpresoj se raporti do të përfshijë paraqitjen edhe të atyre detyrave që nuk janë realizuar për arsye objektive ose edhe subjektive.
Falënderohem që me nderë e mbani emrin e shkollës. Puna juaj me përgjegjësi dhe rezultatet e juaja në aftësimin tuaj është dhurata më e mirë për të gjithë. Një falënderim dhe gjithë atyre që me djersë dhe gjak dhanë kontributin e tyre për zhvillim më të hovshëm e jetë të lumtur edhe kësaj treve.
Ju dëshiroj punë të mbarë e suksese!
Përshëndetje të përzemërta, Hadije Morina–Surroi
Një telegram tjetër urimi na përcjell edhe Shaban Xheladini, veteran i arsimit shqip në Luginë.
Telegram urimi nga Shaban Xheladini
Me këtë rast, të shënimit të kësaj dite më se gjysmëshekullore të vatrës së diturisë së arsimit, një telegram urimi na përcjell edhe Shaban Xheladini, veteran i arsimit shqip në Luginë, duke evokuar kujtime nga e kaluara dhe duke përkujtuar zotimet dhe përpjekjet e pa ndalura të atëbotshme për hapjen e kësaj vatre të diturisë ku sipas tij “falë angazhimit, entuziazmit dhe dëshirës së flaktë të popullatës shqiptare të komunës së Bujanocit, përfshirë këtu edhe nxënësit, arsimtarët dhe inteligjencën shqiptare e këtij rajoni, ëndrra e tyre u bë realitet dhe u hap shkolla e mesme në Bujanoc”.
“Të nderuar të pranishëm, ju përshëndes të gjithëve përzemërsisht. Sot, nuk mundem me qenë bashkë me ju, me u gëzua për punën dhe rezultatet që paraqiten dhe që keni arritur t`i realizoni”, thuhet në telegram, duke shtuar: “Të frymëzuar nga kjo vatër diturie, ne deri diku i kemi realizuar objektivat tona çka na bënë më të mirë, më të fortë, më të përgjegjshëm dhe na jep shpresë që në të ardhmen të punojmë edhe më shumë për të mirën e të rinjve tanë”.
“Ky historik i veçantë i dijës dhe shkencës që është shënuar për më se gjysmëshekulli në këtë vatër arsimore besoj se do ta pasurojë, jo vetëm personalitetin e çdo nxënësi apo arsimtari, por në përgjithësi edhe arsimin dhe edukimin e kësaj vatre diturie në këtë trevë”, e përmbyll telegramin e urimit të Ditës së shkollës, Shaban Xheladini.
Për të bërë edhe më të begatë kremtimin e ditës së kësaj vatre të diturisë, shkolla jonë shpalosi një program të begatshëm arsimor, program i cili vazhdoi pastaj me historikun më se gjysmëshekullor të shkollës sonë.
Do theksuar se edhe nxënësit e kësaj shkolle, Eliona Pajaziti (moderatore) dhe Shaip Ramadani (recitues) me paraqitjen e tyre madhështuan këtë manifestim.
Eliona me udhëheqjen e saj të shkëlqyeshme të programit të shkollës dhe Shaipi, me recitimin e tij të poezisë së Gjergj Fishtës “Gjuha shqipe” dhe me pikën muzikore në violinë.