Shënohet 53 vjetori i themelimit të shkollës sonë

Sot, edhe përkundër situatës me pandemi dhe me prezencë të kufizuar dhe nën masat mbrojtëse, u shënua “9 Maji” dita e shkollës “Sezai Surroi”, në Bujanoc, e cila i bie të festohet së bashku me ditën e Evropës dhe në ditën e qytetit të Bujanocit.

Ndonëse më parë, për më se gjysmë shekulli – Dita e shkollës sonë është shënuar me sërë aktivitetesh dhe manifestimesh të ndryshme kulturo-artistike të organizuar nga mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj vatre arsimore, këtë vit për shkak të shfaqjes së pandemisë së virusit Covid-19, i cili i shtriu kthetrat e tij në tërë globin, por edhe në rajonin tonë, na pamundësoi që edhe këtë vit shkollor ta festojmë solemnisht ditën e këtij institucioni arsimor.  

Do theksuar se 9 maji – Dita e shkollës sonë është një ditë e rëndësishme ngase konsiston me 9 majin ditën e Evropës dhe me ditën e qytetit të Bujanocit. Shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, shënon këtë vit 53 vjetorin, Ditën më se gjysmëshekullore të tempullit të dijës, të këtij institucioni të mesëm arsimor me mësim në gjuhën shqipe.

Me këtë rast, të shënimit të kësaj dite më se gjysmëshekullore të tempullit të dijës dhe të vatrës së diturisë së arsimit, drejtori i shkollës së mesme “Sezai Surroi”, Zejni Fejzullahu, theksoi: “Edhe këtë vit, si vitin e kaluar do t’i respektojmë masat duke iu përshtatur situatës me pandemi dhe do ta shënojmë këtë ditë me prezencë të kufizuar dhe nën masat mbrojtëse.

 “Shkolla jonë tani më ka bërë një traditë në ecjen e proceseve përpara”, theksoi Fejzullahu, duke shtuar se “edhe në këtë vit të veçantë, në kohën e pandemisë me COVID-19, gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, personeli arsimor ia arriti që të zhvillojë procesin edukativo-arsimor me metoda të reja, domethënë organizimin e mësimit në distancë dhe me platformën Zoom”.

“Këtë vit, në 53 vjetorin e fillimit të mësimit të kësaj vatre arsimore, përkatësisht 50 vjetorin e pavarësimit të shkollës sonë nga gjimnazi i Preshevës, mësimin e përcjellin 859 nxënës, të shpërndarë në 34 paralele, me 138 punëtorë, prej të cilëve 104 punojnë drejtpërdrejtë në procesin edukativo-arsimor”, tha në fjalën e tij, Fezullahu.

“Presim që këtë vit të jashtëzakonshëm ta përfundojmë me sukses dhe me situata më të volitshme se vitin e kaluar”, theksoi në fund Fejzullahu, dhe shtoi: “Maturantët të përfundojnë me kohë shkollimin e mesëm, ashtu që të kenë kohë për orientime profesionale të mëtutjeshme”.

Arsimi “online”në kohën e epidemisë botërore dhe sfidat e këtij viti shkollor

Kaloi më se një vit që nga aplikimi i kësaj metode mësimore onlinepër shkak të pandemisë me COVID-19, epidemi botërore që ka kapluar gjithë globin, e që për më se një vit në mënyra të ndryshme, por të favorshme për nxënësit i kemi respektuar masat e ndërmarra edhe përkundër situatës me pandemi dhe me prezencë të kufizuar dhe nën masat mbrojtëse adekuate.

“Jemi befasuar për të mirë, ngase s’ka qenë edhe aq i lehtë kalimi nga klasa në mësimin “online”, theksoi drejtori i shkollës Zejni Fejzullahu, duke përmbyllur se “na mbetet ta shohim dhe ta vlerësojmë se cili është apo do të jetë efekti i mësimit “online” pasi na duhet, jo vetëm për tani, por edhe për procesin e digjitalizimit të arsimit edhe për shqiptarët e rajonit tonë, të Luginës së Preshevës”.

 Do theksuar, se pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga Republika e Serbisë, mësimi i rregullt është ndërprerë në të gjitha shkollat e Serbisë, si dhe në rajonin tonë në Luginën e Preshevës, dhe se që nga viti i kaluar e deri më tani,  në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, mësimi në distancë është zhvilluar sipas platformës: Viber, Google Classroom, Në mënyra tjera: Ueb sajti i shkollës, email dhe platformës Zoom.  

Pergatiti:
Metali Krasniqi

Shpërndaje në: