Në ditën e Evropës feston edhe Bujanoci
Bujanoc, 9 Maj 2016 – Me një aktivitet dhe manifestim kulturo-artistik modest të organizuar nga mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj vatre arsimore, të hënën, në Shtëpinë e Kulturës është shënuar Dita e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc.
Këtë vit shkolla e mesme “Sezai Surroi” festoi 48 vjetorin e themelimit të paraleleve të para me mësim në gjuhën shqipe dhe 43 vjetorin e pavarësimit të shkollës së mesme nga gjimnazi “Skënderbeu” i Preshevës.
Përveç nxënësve, mësimdhënësve, përfaqësues të komunës në këtë solemnitet mori pjesë edhe Hadije Morina – Surroi, motra e personalitetit që mban emrin shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc.
Me këtë rast, të shënimit të kësaj dite të vatrës së diturisë së arsimit, drejtori i shkollës së mesme “Sezai Surroi”, Zejni Fejzullahu, para të pranishmëve në këtë manifestim, duke elaboruar për të arriturat dhe historikun në retrospektiv të kësaj shkolle, falënderoi të gjithë mësimdhënësit që kontribuuan me dëshirën më të madhe në hapjen e kësaj vatre të diturisë, që nga formimi i kësaj shkolle, e gjerë tek arritjet e suksesshme në edukimin e gjeneratave me radhë, deri në ditën e sotme.
Sipas Fejzullahut, shkolla e mesme „Sezai Surroi” këtë vit përmbush 48 vjetorin e hapjes së paraleleve të para, përkatësisht 43 vjetorin e pavarësimit të saj nga gjimnazi “Skënderbeu” i Preshevës dhe çka është me rëndësi feston 90 vjetorin e lindjes së Sezai Surroit ku me këtë rast në shkollë janë mbjellë 90 trëndafila në shenjë respekti për emrin dhe veprën e tij, punë dhe meritë kjo e profesor Mehmet Dalipit.
Kjo shkollë, sipas tij, ka bërë hapat e parë të veprimtarisë që nga viti shkollor 1968/1969, atëherë kur është paraqitur nevoja e domosdoshme për hapjen e një shkolle të mesme në komunën e Bujanocit.
“Natyrisht se për hapjen dhe funksionimin e saj, ka pasur shumë peripeci dhe sfida të natyrave të ndryshme”, theksoi Fajzullahu, duke shtuar se “kjo shkollë fillimisht është hapur në Tërnoc, me paralele të ndara nga shkolla e mesme, respektivisht nga gjimnazi “Skënderbeu” i Preshevës”.
Në fund, Fejzullahu, theksoi: “Ky institucion arsimor tani më ka kuadro të vlefshëm, kemi një objekt me standarde evropiane, por para së gjithash ajo që vlen të krenohemi është se kemi edhe nxënës të shkëlqyeshëm, dashtë Zoti që nga këta nxënës të nxjerrim kuadro me vlera të mëdha”.
Për t’i uruar të gjithë mësimdhënësve dhe nxënësve të kësaj vatre të diturisë këtë vit jubilar, edhe prefekti i Bujanocit, Nagip Arifi, theksoi: “Sot kemi tri festa, sot është Dita e Evropës, Dita e Komunës së Bujanocit, ndërsa festa e tretë është Dita e shkollës së mesme, ndaj Bujanoci feston me Evropën”.
“Unë gjithmonë kam pasur një kënaqësi shpirtërore kur kam parë se të rinjtë e komunës sonë duan të shkollohen. E kam marrë një obligim që nga viti 2002 e këndej që kushtet për shkollim t’i kemi sikurse edhe vendet tjera në rajon”, shprehet Arifi, dhe duke ua uruar nxënësve dhe mësimdhënësve këtë festë jubilare theksoi: “U dëshirojë shëndet para se gjithash dhe suksese nxënësve të shkollës së mesme, studentëve regjistrim atje ku kanë dëshirë, dhe mësimdhënësve suksese në të ardhmen”.
Arifi, ftoi nxënësit që të mësojnë sa më shumë dhe të vijojnë me rregull procesin arsimor, se tani, sipas tij, i kanë të gjitha kushtet në këtë vatër diturie.
Ndërkaq, motra e personalitetit që mban emrin shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, Hadije Surroi – Morina, theksoi: “Ky historik i veçantë i dijës dhe shkencës që është shënuar në këtë vatër arsimore besoj se do të pasurojnë, jo vetëm personalitetin e çdo nxënësi apo arsimtari, por në përgjithësi edhe arsimin dhe edukimin e kësaj vatre diturie në këtë trevë”.
“Në këtë shkollë po kaliten forca të reja rinore, kjo perspektivë e kësaj treve besoj se do t’i arsyetojë mundimet që janë duke i bërë të gjitha forcat në këtë trevë edhe më gjerë”, theksoi Hadije Surroi, duke shtuar se “kjo shkollë më duket si një Universitet për këtë trevë ngase të gjithë profesionet të cilat janë duke u zbatuar në punën e juaj të përditshme tregojnë një gjerësi dhe mundësi për zhvillimin kulturor të kësaj treve, por edhe atë ekonomiko-shoqëror që është perspektiva dhe lufta e çdo njeriu për trevën e vet dhe për tanë shoqërinë”.
“Këtu janë duke u bërë mundime të mëdha për krijimin e kushteve para se gjithash kushteve bashkëkohore që mundësojnë krijimtarinë e nxënësve para se gjithash që natyrisht kërkon që edhe arsimtari të jetë i farkuar në profesionin e vet që me punën e vet me i angazhuar deri në maksimum nxënësit që duke i shfrytëzuar mundësitë e ndryshme, qoftë nëpërmjet kompjuterit, qoftë nëpërmjet të librave të ndryshme, të jenë ata që do ta shtjellojnë edhe do ta përpunojnë një temë që është në suaza të programit”, theksoi Hadije Surroi – Morina, në fund duke e përmbyllur fjalën e saj me porosinë (fjalën) e Migjenit “Rini, këndo se bota është e jote”.
Në fund, fjalën mori edhe Shaban Xheladini-veteran i arsimit, njëherësh dhe njëri ndër themeluesit e kësaj vatre arsimore.
“Falë angazhimit, entuziazmit dhe dëshirës së flaktë të popullatës shqiptare të komunës së Bujanocit, përfshirë këtu edhe nxënësit, arsimtarët dhe inteligjencën shqiptare të kësaj treve, ëndrra e tyre u bë realitet dhe u hap shkolla e mesme”, theksoi Xheladini, atëbotë si koordinator i të gjitha punëve për realizimin e procesit edukativo-arsimor, ndonëse sipas tij, me shumë mund dhe angazhim të jenë munduar të ndihmojnë që mësimi të zhvillohet në lokalet e shkollës fillore „Muharrem Kadriu”, në Tërnoc.
Në kremtimin e përvjetorit të ditës së shkollës nga drejtori i këtij institucioni arsimor, u nderuan me mirënjohje në shenjë respekti për punën e tyre shumëvjeçare në arsim; profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Bejzad Abdullahu, pedagogia e shkollës, Shyhrete Fetahu dhe profesori i gjuhës angleze, Avni Selimi.
Në këtë manifestim arsimor nuk munguan as recitimi i poezive dhe këndimi i “Himnit të Evropës”, të përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle.
Do theksuar se shkolla e mesme “Sezai Surroi’ në Bujanoc, aktualisht ka gjithsej 150 të punësuar, ku 124 nga ta janë mësimdhënës, ndërsa gjithsej ka 1. 165 nxënës.
Përgaditi: Metali Krasniqi