Me një sërë aktivitetesh dhe manifestimesh të ndryshme kulturo-artistike të organizuar nga mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj vatre arsimore, të enjten, më 9 maj, është shënuar Dita e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc.
Pas Himnit të shkollës dhe historikut të saj, fjalën përshëndetëse e mori zëvendës drejtori i shkollës, Bujar Mustafa, i cili para të pranishmëve në këtë manifestim, duke elaboruar për sakrificat, peripecitë dhe të arriturat e kësaj shkolle, falënderoi të gjithë mësimdhënësit veteranë që kanë kontribuuar në hapjen e kësaj vatre të diturisë dhe ata që në mënyra të ndryshme kontribuuan deri më sot, në edukimin e gjeneratave me radhë, deri në ditën e sotme.
Shkolla jonë, shtoi ai, kaloi nëpër etapa të rënda dhe të ndryshme historike, megjithatë arriti të mbijetoi dhe të rrugëtoi drejt edukimit dhe arsimimit të popullit tonë.
Në mungesë të prezencës së drejtorit, zëvendës drejtori i shkollës, Bujar Mustafa, theksoi: “Të nderuar kolegë dhe kolege, nxënës të dashur. Më lejoni që në emër të drejtorit Admir Nazifit (në mungesë, me arsye), në emrin tim personal dhe të gjithë personelit të shkollës t’iu urojë Ditën e shkollës sonë”.
Ky tempull i edukimit, shtoi më tej Mustafa, nuk është krenari vetëm e kolektivit tonë, por edhe e gjithë komunës së Bujanocit, sepse është i vetmi institucion i mesëm në gjuhën shqipe në komunën tonë.
“Ne jemi të përkushtuar që nga ky institucion të dalin nxënës të arsimuar e të edukuar, nxënës të suksesshëm e me plot njohuri, studentë të ardhshëm, të dalluar e punëtorë të vyeshëm”, theksoi më tej Mustafa, duke shtuar “Këtë nuk e kemi të vështirë ta realizojmë sepse rrugën para nesh e trasuan shumë mirë mësimdhënës të dalluar të kësaj shkolle dhe për këtë u jemi gjithmonë mirënjohës”.
Për ta bërë edhe më të begatë kremtimin e Ditës së kësaj vatre të diturisë, nxënësit e shkollës sonë shpalosën një program të begatshëm kulturo-artistik. Historikun e shkurtër të shkollës e lexoi nxënësja Dalina Qazimi, e nxënës tjerë shkëlqyen me paraqitjen e tyre dhe e madhështuan këtë manifestim: Verda Selimi, Olis Salihu, Leart Ahmeti, Erblina Shabani, Melina Ahmeti, Altuna Maliqi, Belina Salihu, Tringa Mustafa, Tuana Zahiri, Azra Veseli, Era Mehmetdaliu dhe Riola Rashiti.
Në fund të manifestimit shkolla jonë ndau mirënjohje për nxënësen Ana Mustafa, e cila në garat regjionale të Biologjisë zuri vendin e parë, ndërsa për këtë meritë mirënjohje ka marrë edhe profesori i Biologjisë, Hamdi Kamberi.
Manifestimin e madhështoi edhe ekspozita e paraqitur në hollin e shkollës e piktorëve të rinj të shkollës sonë, të cilët dhanë kontributin e tyre që kjo ngjarje të reflektojë pozitivisht duke – pasur në konsideratë rëndësinë e kësaj dite historike.
Përgaditi: prof. Metali Krasniqi