Shkolla jonë organizoi një program artistik-kulturor për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

Me rastin e Ditës së Mësuesit 7 Marsit, shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, organizoi të enjten, një program artistik-kulturor përkushtimor për të nderuar të gjithë mësimdhënësit shqiptarë me këtë Ditë të shënuar të historisë së shkollës sonë shqipe.

7 Marsi, Dita e Mësuesit, shënohet si një ngjarje me rëndësi kulturore dhe artistike në gjitha trojet tona shqiptare.

Profesorët e gjuhës shqipe – aktivi i gjuhëtarëve dhe dy psikologet e shkollës në bashkëpunim me nxënësit e shkollës sonë përgatitën, të enjten, një orë letrare duke shpalosur një program të begatshëm kulturor me ç’rast u lexua dhe u recituan; Historiku për 7 Marsin, me rastin e 137-vjetorit të hapjes së parë të shkollës shqipe në Korçë; Recital i gërshetuar nga poezitë për gjuhën dhe për shkollën shqipe nga poetë të ndryshëm shqiptarë; recitimi i tri poezive për gjuhën dhe shkollën shqipe, si dhe një këngë nga nxënësi Olis Salihu, së bashku me grupin e kitaristëve, i cili me zërin e tij të bukur e kumbues e përmbylli këtë ngjarje të shënuar duke entuziazmuar të gjithë të pranishmit me këngën “Fshatarja ime”.

Do theksuar se edhe drejtori i shkollës së mesme Admir Nazifi, në shënim të kësaj dite të shënuar historike, i përshëndeti të pranishmit, duke ua uruar mësuesve këtë Ditë historike të arsimit shqiptar, dhe mësuesve veteranë të cilët kanë ndërtuar themelet e arsimimit tonë, ngase siç theksoi ai: “Profesioni i mësimdhënësit është detyrë fisnike dhe e shenjtë e që do të përcillet ndër breza”.

Po ashtu, do theksuar se për shënimin e kësaj dite të shënuar historike u zotuan aktivi i gjuhëtarëve, si dhe nxënësit e shkollës sonë; Melina Ahmati (moderatore), Tuana Zahiri, lexoi përgatitjen e Historikut të 7 Marsit dhe recitoi poezinë “Gëzuar festa mësues”; Riola Rashiti recitoi poezinë “Shkolla ime”, nxënësja Dalina Qazimi, recitoi poezinë: “Kushtrimi”, ndërsa Recitalin e gërshetuar nga poezitë për gjuhën dhe për shkollën shqipe, e recituan nxënësit: Elza Shabani, Suela Avdiu, Azra Veseli, Leart Aliu dhe Ledion Veseli.

Ndaj, në fund të gjithë mësuesve, të të gjitha niveleve të arsimit të shkollës shqipe, kudo që punojnë, ua urojmë 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!, në përkujtim të hapjes së Shkollës së 
Parë Shqipe, më 7 Mars 1887, ngase për të arritur deri te kjo ditë, janë dashur përpjekje e sakrifica të pandërprera ndër shekuj.

Në fund të këtij programi artistik-kulturor e modest festiv u mbajt edhe finalja e kuizit të diturisë të nxënësve të shkollës sonë.

Shpërndaje në: